Microfrontends: një arkitekturë mundësuese e aplikimeve plotësisht modulare
Temë masteri në programin e studimit Master i Shkencave në Informatikë, F.SH.N. U.T.
Studenti: Kristi Braholli
Abstrakt:
Ky punim studion konceptin e mikrofrontendeve në zhvillimin e aplikacioneve të bazuar në ueb. Krijimi i metodologjisë microfrontend fillon me zhvillimin e shpejtë dhe masiv që ka marrë gjatë 15 viteve të fundit zhvillimi i faqeve të internetit. Ky zhvillim dhe rritja e kompleksitetit, kanë nevojë për menaxhim, qartësi, strukturim dhe një arkitekturë të standardizuar në mënyrë që ndryshimet të jenë premtuese dhe të lejojnë zhvillimin e mëtejshëm.
Si rezultat i arsyetimeve të kësaj natyre, nevoja ka nxitur krijimin e një teknologjie apo metodologjie e cila në thelb ka fragmentimin në mikro-elemente. Kjo metodologji e njohur dhe e zbatuar si arkitektura e mikroshërbimeve në backend ka njohur sukseset e veta, dhe ëshë mirëpritur nga shumë kompani.
Por, ndërsa shumica e kompanive përdorin mikroshërbimet për funksionalitete të serverit, ato shpesh ndërtojnë një aplikacion monolit të frontend që ndërvepron me mikroshërbimet në backend. Si rrjedhoje kontrasti midis një serveri të ndarë në pjesë mikro dhe një klienti monolit në shumicën e rasteve pengon zhvillimin funksional dhe kohor të projekteve.
Nisur nga suksesi i mikroshërbimeve, zhvilluesit janë përpjekur të ndjekin të njëjtin stil arkitekturor në anën e frontend-it, duke krijuar kështu microfrontend-et. Ky koncept ka fituar popullaritet vitet e fundit. Kjo, për shkak të rritjes së aplikacioneve me një faqe, nevojës për t’i shkallëzuar dhe mirëmbajtur ato në mënyrë efektive. Kjo qasje mund të sjellë disa përfitime, duke përfshirë ciklet më të shpejta të zhvillimit, përmirësimin e shkallëzimit dhe uljen e kostove të mirëmbajtjes. Megjithatë, kërkon gjithashtu planifikim dhe koordinim të kujdesshëm.
Microfrontend duke qënë një risi në zhvillimin e anës së frontend-it, nuk ka fituar hapësiren e mjaftueshme kohore për të qënë e mirëstudiuar. Si e tillë ka ende vend për t’u analizuar. Ky studim synon të analizojë këtë arkitekturë, dhe të nxjerrë në pah anët pozitive dhe rastet më të mira të përdorimit, si dhe anët e mundshme negative dhe rastet kur kjo arkitekturë mund të mos sjellë përfitime.