Implementimi i bazave të njohurive nëpërmjet bazave të të dhënave NoSQL​

Temë masteri në programin e studimit Master i Shkencave në Teknologji Informacioni, F.SH.N., U.T.

Studenti: Eleni Stefani

Abstrakt

Bazat e njohurive (knowledge bases) janë duke u përdorur gjerësisht së fundmi për mbështetjen e sistemeve të gjetjes së informacionit. Ato përfshijnë entite (njerëz, qytete, ndërmarrje, etj.), të dhëna rreth tyre, si dhe të dhëna mbi marrëdhëniet me entitete të tjerë. Motorët e kërkimit i shfrytëzojnë për të zgjeruar rezultatet e kërkimit me të dhëna mbi entitetet që përfshihen në to, ose në kërkesën e shprehur nga përdoruesi (query). Implementimi më i zakonshëm i këtyre bazava të njohurive është nëpërmjet një grafi, ose më konkretisht nëpërmjet grafeve të prodhuara nga ontologji të paracaktuara. Mënyra standarde për ruajtjen e këtyre grafeve është nëpërmjet të ashtuquajturave “tripe store”.

Detyra e kësaj teme është eksperimentimi me implementimin e bazave të njohurive të shprehura në formën e “triple stores” në baza të dhënash NoSQL (bazuara në dokumente). Prototipi i ndërtuar duhet të ilustrojë mënyrën sesi popullohet baza e njohurive në fjalë si dhe si përdoret informacioni i ruajtur në të. Gjithashtu duhet të përfshihet një krahasim ekpserimental në lidhje me alternativa të tjera që ekzistojnë për të implementuar baza të njohurive (p.sh. graph databases).