Menaxhimi i njohurive mbi medikamentet nëpërmjet një platforme mobile
Temë masteri në programin e studimit Master i Shkencave në Informatikë, F.SH.N., U.T.
Studenti: Anila Bazi
Abstrakt:
Sistemet e informacionit për shërbime mjekësore (e-Health) mund të ndihmojnë pacientët dhe përdoruesit e medikamenteve të ndryshme për njohje më të mirë të indikimeve apo ndërveprimeve të këtyre të fundit. Informacione të mundshme përfshijnë principet e tyre aktive, efektet anësore, legjislacionin, format farmaceutike, apo patentat që tregtohen në Republikën e Shqipërisë. Megjithatë shpesh ky informacion është shumë i detajuar, dhe bëhet shumë e vështirë për pacientët për të identifikuar atë që ju intereson atyre më tepër. P.sh. nuk është e thjeshtë të identifikohet nëse dy medikamente mund të përdoren të kombinuara dhe nëse kjo është e rrezikshme.
Detyra e kësaj teme është identifikimi i një mënyrë efikase për ruajtjen dhe menaxhimin e njohurive rreth medikamenteve që lejon nxjerrje në pah me lehtësi të informacioneve të rëndësishme mbi përdorimin e tyre. Kjo duhet të materializohet nëpërmjet një aplikacioni mobile që lejon një vizualizim të shpejtë të informacioneve të rëndësishme si kundërindikime, apo ndërveprime medikamentesh. Ndërfaqja e aplikacionit duhet gjithashtu të marrë parasysh profile të ndryshmë përdoruesish (p.sh. mosha të ndryshme) dhe si rrjedhojë të lejojë ndërveprim të shpejtë, p.sh. nëpërmjet skanimit të kodeve me vija (barcode) apo ndonjë mënyre të ngjashme.