Ndërfaqe inteligjente në kohë reale për një sistem ndjekje lajmesh
Temë masteri në programin e studimit Master i Shkencave në Informatikë, F.SH.N., U.T.
Studenti: Ingrid Belalla
Abstrakti i temës:
Sistemet e kërkimit dhe ndjekjes së lajmeve ju ofrojnë përdoruesve një mundësi për të identifikuar lehtësisht lajme me interes për ta. Lajmet e prodhuara nga media të ndryshme indeksohen dhe ju ofrohen përdoruesve të përmbledhura dhe sipas algoritmave të ndryshëm të rradhitjes. Një pjesë e këtyre sistemeve mundësojnë një nivel personalizimi. Përdoruesit mund të përcaktojnë temat më interesante për ta, një informacion i tillë mund të deduktohet në mënyrë implicite, ose interesi i përdoruesve mund të parashikohet bazuar në ndërveprime të përdoruesve të ngjashëm.
Këto funksionalitete mund të kthehen në të papërdorshme nëse nuk ofrohet një vizualizim interesant informacioni nëpërmjet ndërfaqeve të përdoruesit inteligjente. Këto ndërfaqe, të njohura dhe si adaptive ju përshtaten interesave të përdoruesve dhe vendosin fokusin tek informacioni më i rëndësishëm për përdorues të caktuar në një moment të caktuar.
Detyra e kësaj teme është shfrytëzimi i teknologjive dhe standardeve të fundit (p.sh. HTML5 push notifications) për vizualizimin në kohë reale të lajmeve apo informacioneve të përmbledhura rreth personave apo fakteve të përmendura në to. Duhet të bëhet i mundur përditësimi automatik i ndërfaqes si dhe identifikimi i mënyrës më të mirë për të vizualizuar informacionet më të rëndësishme të një momenti. Pra fokusi i temës nuk është identifikimi i lajmeve, por vizualizimi i tyre nëpërmjet një ndërfaqe të posaçme. Ndërfaqja e prodhuar duhet të vlerësohet me përdorues për të shmangur prodhimin e prototipeve teorike që nuk ju drejtohen pikërisht përdoruesve potencialë.