Përdorimi i unit tests për vlerësimin automatik të testeve (provimeve) të gjuhëve të programimit

Temë masteri në programin e studimit Master i Shkencave në Informatikë, F.SH.N. U.T.

Studenti: Suada Kumrija

Abstrakt:

Përdorimi i unit testeve për vlerësimin automatik të provimeve përfshin përdorimin e testeve të paracaktuara për të vlerësuar funksionalitetin, saktësinë dhe efikasitetin e paraqitjes së kodit të studentëve.

Në vitet e fundit, kërkesa për studimin e shkencave kompjuterike ka shënuar një rritje të ndjeshme, e cila shihet qartë në numrin e lartë të të rinjve të apasionuar që gjithmonë e më shumë janë në kërkim të teknologjisë. Kjo rritje paraqet një sfidë të vështirë për pedagogët, për faktin se proçeset e vlerësimit manual kërkojnë kohë dhe janë subjektive.

 

Një zgjidhje për këtë problem është përdorimi i një sistemi të automatizuar duke përdorur unit teste. Perfitimet e përdorimit të një sistemi të tillë janë të dyanshme, si për profesorët, duke i kursyer atyre kohë dhe duke i lënë të kuptojnë problematikat e zakonshme midis studentëve, ashtu edhe për studentët, duke u dhënë atyre rezultate të menjëhershme dhe vlerësim të drejtë.

 

Detyra e kësaj teme është identifikimi i një mënyre konkrete të përdorimit të unit testeve për vlerësimin automatik të provimeve në Shqipëri, si dhe ndërtimi i një aplikacioni që e shfrytëzon atë. Gjithashtu, janë bërë edhe hulumtime për sisteme të ngjashme të raportuara në literaturë, për të krijuar një ide sa më të qartë dhe të kuptueshme për mundësitë e përdorimit të një sistemi të tillë.