Shfrytëzimi i rrjeteve sociale për menaxhimin e projekteve software që ndjekin një proces "agile"
Temë masteri në programin e studimit Master i Shkencave në Informatikë, F.SH.N. U.T.
Studenti: Luçiana Fani
Abstrakti i temës:
Proceset agile për inxhinierimin e software e vënë fokusin tek komunikimi i shpeshtë midis anëtarëve. Ato inkurajnë ecurinë teknologjike dhe komunikimin përkundrejt dokumentimit të tepërt. Megjithatë nuk është e thënë që një proces agile nuk prodhon aspak dokumentacion, kjo varet nga qasja konkrete që ndjek skuadra.
Përgjithësisht fuqia e projekteve që ndjekin këto lloj procesesh qëndron mbi faktin që përdoren skuadra të vogla me anëtarë që ndodhen fizikisht pranë njëri tjetrit. Megjithatë në shumë projekte kjo nuk është gjithnjë e mundur. Shembuj tipikë janë menaxhimi i projekteve shkollore apo i produkteve start-up që ndërtohen nga skuadra entuziastësh që nuk kanë një ambient pune fizik. Së fundmi rrjetet sociale po përdoren fuqishëm për komunikim. Është me interes të hulumtohet nëse janë të përshtatshme për menaxhim projektesh.
Detyra e kësaj teme është ndërtimi i një prototipi mjeti menaxhimi projekti që shfrytëzon platformën programuese të rrjetit social Facebook. Duhet eksperimentuar me integrimin e elementëve të një menaxhimi projekti si p.sh tasks (detyrat) apo milestones në një aplikacion Facebook. Fokus i veçantë duhet pasur tek metodologjia e menaxhimit të projekteve që ndjekin një proces agile. Fokusimi mund të jetë mbi ndonjë proces konkret të tillë si programimi ekstrem (XP Programming) dhe SCRUM. Prototipi i ndërtuar duhet vlerësuar me përdorues për të mbledhur opinione mbi faktin që a mund të menaxhohet një projekt nëpërmjet një rrjeti social.